Gjuha më e vjetër në Evropë
Gjuha Shqipe: Trashëgimi e Lashtësisë dhe Rrënjët Indo-Evropiane.
Gjuha Shqipe: Trashëgimi e Lashtësisë dhe Rrënjët Indo-Evropiane
A është gjuha shqipe gjuha më e vjetër në Evropë? Ky shkrim shqyrton lidhjen e saj me gjuhët ilire dhe trako-frigiane, duke e pozicionuar atë si një thesar të trashëguar nga pellazgët e lashtë.
Rrënjët Pellazgo-Ilire
Gjuha shqipe, sipas kësaj teze, rrjedh nga gjuha ilire dhe trako-frigiane (e cila është e së njëjtës familje me gjuhën etruske), një gjuhë e trashëguar e gjuhës shumë të lashtë pellazge, mbi të cilën grekët ndërtuan gjuhën e tyre: greqishten e vjetër. Nga kjo gjuhë rrjedhin gjuha joniane dhe gjuha arkadio-qipriote.
Gjuha shqipe është një degë krejtësisht e ndarë nga ato që quhen gjuhë indoevropiane dhe nuk rrjedh nga ndonjë gjuhë tjetër e njohur. Sot nuk kemi asnjë gjurmë të gjuhës së ilirëve të lashtë, përveç disa epigrafëve të rrallë (transkriptime fonetike të gjuhës ilire nëpërmjet shkronjave greke dhe, më pas, shkronjave latine) që përbëhen nga emra dhe toponime tipike ilire. Në të vërtetë, princat ilirë përdorën gjuhën greke dhe më pas latinishten në marrëdhëniet me botën e jashtme, ndërkohë që populli fliste gjuhën e vet. Pikërisht kjo gjuhë është një trashëgimi e madhe që pellazgo-ilirët ua lanë pasardhësve të tyre.
Z. Majani thotë për këtë: “Gjuha shqipe është një gjuhë e mrekullueshme ku ndonjëherë duhet vetëm të ulesh në tokë për të gjetur copëza të arta... filologjike. Në këtë gjuhë nganjëherë pa as përpjekjen më të vogël zbulojmë fjalë arkadiane që janë bashkëkohore me Iliadën ose Numa Pompilius."
Autoktonia dhe Filologjia
Ilirët ishin një popullsi autoktone. Ata vazhduan të zhvillonin kulturën dhe zakonet e trashëguara nga pellazgët e lashtë. Sot këtë kulturë dhe këto zakone i gjejmë te pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve: shqiptarët. Edhe sikur të mos gjenden gjurmë të shkruara të gjuhës shqipe para shekullit të 14-të, mendimi se shqiptarët e sotëm flasin të njëjtën gjuhë me stërgjyshërit e tyre është i pakundërshtueshëm, pavarësisht nga evoluimi natyror.
Filologët e fillimit të shekullit të 19-të si Xylander, Ramus, Shlaicer dhe veçanërisht Franz Bopp, demonstruan se gjuha shqipe është qartësisht një gjuhë indo-evropiane, por nuk ka lidhje të qarta me asnjë gjuhë tjetër të njohur.
Klasifikimi Verior dhe Ndikimet
Filologë dhe studiues të ndryshëm e vendosin gjuhën shqipe në grupin indoevropian të Evropës Veriore për shkak të zhvillimit strukturor (p.sh. shkronja e shkurtër o u ndryshua në a, si te fjala natë në shqip dhe nacht në gjermanisht, në kundërshtim me nox apo noctis në latinisht). Marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët e grupit të Evropës Veriore kanë qenë objekt studimi nga shumë filologë, ndër të cilët Pedersen Holger dhe albanologu i njohur Norbert Jokl.
John Geipel në librin e tij “Anthropologie de l'Europe, histoire ethnique et linguistique” shkruan: “Megjithë sulmet, shqiptarët mbetën të izoluar në malet e tyre dhe pothuajse nuk e ndjenë ndikimin e pushtuesve, megjithëse në gjuhën e tyre mbetën një numër i caktuar fjalësh greke, latine, sllave dhe turke. Pushtimi sllav në Ballkan... çoi në zhdukjen e dialekteve të shqipes në rajonet e Bosnjës dhe Malit të Zi, por të themi të vërtetën, gjuha sllave nuk arriti kurrë të zërë rrënjë në Shqipëri."
Enigma e Pellazgjishtes dhe Lidhjet me Etruskishten
Gjuhëtari Meje nuk ishte në gjendje të përcaktonte origjinën e vërtetë të pellazgëve dhe as të gjuhës së tyre. Ai lëshoi megjithatë disa të vërteta befasuese: “Ilirët luajtën një rol shumë të rëndësishëm, por ende të keqpërcaktuar, në Evropën Qendrore dhe vepruan në drejtime të ndryshme: drejt botës gjermanike... në Itali ku u gjetën shumë fise ilire... Me origjinë ilire duhen konsideruar edhe filistinët, të cilët themeluan Palestinën."
Megjithatë, çështja e gjuhës së pellazgëve mbetet e paqartë. Studiuesi Zaharia Majani shkruan për etruskët: “Herodoti e konsideronte Anadollin si pikënisjen e etruskëve për Italinë. Rreth vitit 1300 para Krishtit ky rajon i Anadollit ishte i populluar nga ilirë dhe trakë... Ata flisnin dialekte ilire, një gjuhë unike indoevropiane, as greqisht e as latine. Kjo është arsyeja pse latinistët dhe helenistët nuk kanë mundur të interpretojnë gjuhën e etruskëve deri më sot. Vetëm gjuha ilire na lejon t'i afrohemi interpretimit të gjuhës etruske. Më në fund, burimi ynë kryesor mbetet gjuha shqipe, e vetmja gjuhë ballkanike ende e gjallë, në bazën e së cilës rron përsëri gjuha ilire”.
Libër i përshtatur lirshëm nga "Shqipëria apo Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen" nga autori Mathieu Aref.

Commenti
Posta un commento
Mirëpresim mendimin tuaj! Ju lutemi të jeni konstruktivë dhe të respektoni bashkëbiseduesit. Komentet tuaja ndihmojnë në pasurimin e debatit mbi historinë dhe politikën.