Më 22 dhjetor në portalin shumë të respektuar “Gazeta Metro” u publikua një artikull me titull: “Vucic krijon koalicion anti-shqiptar me Rumuninë, Bulgarinë dhe Greqinë”. Mendoj se janë të nevojshme disa sqarime në lidhje me titullin dhe përmbajtjen e artikullit. Takimi ndërmjet liderëve të këtyre shteteve kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes tyre. Tek opinioni bullgar ekzistojnë disa hezitime pse në këtë forum merr pjesë edhe Serbia, e cila nuk është anëtare e BE-së dhe e NATO’s ndryshe nga vendet e tjera, por me prioritet për Sofjen janë çështjet ekonomike dhe ndërtimi i infrastrukturës rajonale. Bullgaria merr pjesë edhe në forume të tjera si p.sh. “Takimet e Selanikut” së bashku me Greqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Në takime të tilla bisedohet kryesisht për zhvillimin e infrastrukturës dhe të lidhjeve ekonomike dhe jo të krijohen “aleanca”, “boshte” etj. Pala bullgare në asnjë mënyrë nuk mund të bartë përgjegjësi për fjalime nga ana e liderëve të shteteve të tjera, të cilët e përdorin çdo mundësi që t’i paraqitin qëndrimet e tyre rreth çështjeve të ndryshme. Si hulumtues i temës mund të deklaroj se politika rajonale e Bullgarisë nuk ka të bëjë me krijimin e “koalicioneve” kundër asnjë shteti ose populli. Historikisht Bullgaria ka luftuar më së shumti pikërisht me këto tri shtete dhe nuk ka asnjë arsye madje nga pikëpamje historike të ketë “armiqësi” me shqiptarët dhe “miqësi” me serbët, grekët dhe rumunët. Të kundërtën, ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë ka disa çështje të hapura, të cilat janë të lidhura kryesisht me të drejtat e komunitetit bullgar në Serbi. Sofja zyrtare disa herë ka deklaruar se Beogradi do të ketë probleme në rrugëtimin drejt BE-së nëse do të vazhdonte me politikën përbuzëse dhe destruktive kundrejt komunitetit bullgar në këtë shtet. Gjithashtu, në politikën e jashtme të Bullgarisë nuk luan dhe nuk ka luajtur rol fakti se shumica e popullsisë bullgare i takon denominacionit ortodoks të fesë së krishterë.
Nuk mund të pajtohem edhe me një pohim tjetër – “Poashtu këto vende, asnjëra, përveç Bullgarisë e cila tashmë udhëhiqet nga një Qeveri pro ruse, nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës”. Bullgaria është anëtare e BE-së dhe e NATO’s dhe i zbaton në mënyrë të përpiktë vendimet e këtyre organizatave ndaj Rusisë dhe politikës së saj. Ndoshta shembulli më i fundit është vendimi i qeverisë bullgare nga këto ditë të blihen aeroplanë ushtarakë F-16, të cilët do t’i zëvendësojnë aeroplanët rus MiG-29.
Institucionet e Bullgarisë shpesh meritojnë kritika për të prirjes së tyre pasive ndaj zhvillimeve politike në rajonin tonë, por nuk duhet të harrojmë se pikërisht Bullgaria e organizoi kryesimin e Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018 me theks të veçantë mbi integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Bullgarisë i mungon “PR strategjik” në fushën e politikës së jashtme dhe sidomos sa i përket Ballkanit Perëndimor që t’ia sqarojë opinionit të gjerë qëllimet e politikës së saj, por pa asnjë dyshim mund të pohojmë se Bullgaria ka marrëdhënie të shkëlqyeshme politike si me Shqipërinë, ashtu edhe me Kosovën dhe kurrë nuk do të hynte në “koalicione antishqiptare”, jo vetëm sepse do të ishte në kundërshtim me frymën evropiane, por do të ishte edhe kundër interesave strategjikë të Bullgarisë.
E përgëzoj redaksinë e gazetës “Metro” për punën e saj dhe shpresoj se do të ketë kontribut të madh për zhvillimin e kontakteve ndërmjet popujve tanë.
(Autori është albanolog i njohur nga Bulgaria dhe Ligjerues në Universitetin e Shën Klementi i Ohrit, në Maqedoni)
Commenti
Posta un commento
grazie a tutti